Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 08:44

Prishtinë – Pas 30 vitesh Kosova do të organizojë procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare, i cili do të nis me 1 prill.

Institucionet e vendit thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e procesit.

Kryeministri, Hashim Thaçi ka kërkuar që qytetarët e Kosovës t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë, duke e konsideruar këtë proces, si më të rëndësishmin, nga koha kur është shpallur pavarësia e vendit.

Mirëpo, vetë periudha e përgatitjeve përcillet edhe me kritika dhë vërejtje. Madje disa subjekte politike kanë kërkuar edhe shtyrjen e procesit.

Probleme, sidomos, paraqiten me regjistrimin në veri të Kosovës, derisa ende ka paqartësi për regjistrimin e shtetasve të Kosovës që jetojnë në vende të tjera.

Regjistrimi do të ofrojë informacion statistikor te vlefshëm mbi popullatën dhe kushtet e jetesës, që ndikon drejtpërdrejtë në planprogramin e dekadës së ardhshme.

Përgaditjet për regjistrim kanë filluar në vitin 2005 dhe janë monitoruar nga Operacioni ndërkombëtar i monitorimit (ONM), i përbërë nga Komisioni Evropian (EUROSTAT), Këshilli i Evropës, UNECE dhe UNSD si dhe ekspertë ndërkombëtarë të regjistrimit.