Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 15:55

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi tha se e ardhmja e Kosovës është përplot sfida, por shprehu besimin se këto sfida do të kalohen me sukses të plotë.

Këto komente, Thaçi i bëri në hapje të mbledhjes së Qeverisë, duke falënderuar gjithë spektrin politik, qytetarët e Kosovës, e para se gjithash partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen dhe vlerësimin e lartë të shtetit të Kosovës. Me këtë rast, kreu i ekzekutivit tha se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë është një ëndërr historike dhe një kapitull i ri i integrimit në NATO dhe BE. Ai tha se kjo është meritë e gjithë spektrit dhe e qytetarëve të Kosovës.

Thaçi falënderoi kabinetin qeveritar për punën e deritanishme, por edhe për marrjen e përgjegjësive shtesë, teksa theksoi se tani kërkohet më shumë punë.  “Tani duhet të vazhdojmë të punojmë në çështjet që lidhen drejtpërdrejt me përspektivën evropiane, zhvillimin ekonomik, rritjen e vendeve të reja të punës, vazhdimin e qeverisjes së mirë. Jam i vetëdijshëm se e ardhmja do të jetë përplotë sfida, por kam besim se me sukses edhe më të avansuar”.

Një prej sfidave për Qeverinë e Kosovës mbetet shtrirja e autoritetit në pjesën veriore. Për këtë, kryeministri Hashim Thaçi ditë më parë përmendi një plan integrues, për të cilin kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se është i panjohur për Kuvendin. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pas mbledhjes së Qeverisë tha se ai është një plan inicial, i cili do të shkojë në Kuvend kur të formësohet plotësisht.

I pyetur se kur do të ketë fillim të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kuçi tha se fillimisht duhet të shihen rezultate në praktikë nga implementimi i marrëveshjeve të arritura nga dialogu i zhvilluar deri më tani. Ndërsa për mundësinë e një koalicioni të ri me AAK-në, ai tha se koalicioni aktual me AKR-në, tash për tash po funksionon mirë.(LajmeShqip.com)