Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 17:54

Prishtinë – Në Konferencën e Katërt Ndërkombëtare “Least developed countries”, e cila po mbahet në Stamboll të Turqisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, takoi liderë të shteteve të ndryshme, që po marrin pjesë në këtë Konferencë.

Në këto takime kryeministri Thaçi i informoi liderët e pranishëm për progresin e arritur në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë, duke theksuar se Kosova e pavarur është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Thaçi kërkoi nga liderët e vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta njohin shtetin e Kosovës dhe mori premtime inkurajuese në këtë drejtim.

Ai takoi fillimisht kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me ftesë të të cilit po merr pjesë në këtë konferencë ndërkombëtare. Kryeministri Thaçi po ashtu takoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, kryeministrin e Nepalit, JhAla Nath Khanal, kryeministrin e Çadit, Emanuel Nedingar, zëvendëspresidentin e Tanzanisë, Muhamed Khaba Gharb Bilal, kryeministrin e Etiopisë, Meles Zenaëi, ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ali Ahmet Karti, Presidentin e Ishujve Komore, Ahmed Abdullah Muhamed Sambi.

Kryeministri Thaçi takoi edhe liderë të vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të cilët i falënderoi për njohjen dhe përkrahjen që po i japin Kosovës në vazhdimësi.

Në mbrëmje Thaçi do të marrë pjesë në sesionin e Konferencës, që kryesohet nga presidenti i Turqisë Abdullah Gyl.

Pjesëmarrja e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e organizuar nga OKB, është në vazhdën e përkushtimit të tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe sjelljen e investimeve të reja në vend.