Lajme Shqip Sunday, 03 July 2011 18:00

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u nis të dielën për një vizitë zyrtare në Bruksel me ftesë të zv/ presidentes dhe Përfaqësueses Speciale për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Baroneshës Catherine Ashton.

Burimet zyrtare të qeverisë kosovare bënë të ditur se Kryeministri Thaçi, përveç takimit me Baroneshën Ashton do të ketë edhe takime të tjera dhe se tema kryesore do të jetë agjenda evropiane e Kosovës.

Baronesha Catherine Ashton, gjatë vizitës në Kosovë, më 27 maj, pas një dreke pune në qytetin e Prizrenit me kryeministrin Hashim Thaçi, deklaroi se kishin pasur diskutime shumë të frytshme, ndërsa e ftoi Thaçin për një vizitë zyrtare në Bruksel.

“Në fund, zotëri Kryeministër, kam kënaqësinë t’ju ftoj të vini në Bruksel, ku shpresoj se do të jem në gjendje t’ua kthej këtë mikpritje të mrekullueshme që më bëtë sot dhe po ashtu të vazhdojmë edhe dialogun”, tha me atë rast Baronesha Ashton.

Një ditë më parë, në Bruksel u mbajt raundi i pestë i dialogut teknik Kosovë-Serbi, i filluar me 8 mars të këtij viti, që rezultoi me tre marrëveshjet e para me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.