Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 09:19

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e vlerësoi si të drejtë vendimin që t’u lejojë forcave speciale të ndërmarrin kontrollin mbi dy pikat kufitare kontestuese në Kosovë dhe Serbi.

Ai nënvizoi se aksioni i policisë në veri të vendit për të rivendosur kontrollin në pikat kufitare, në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar si veprim i nxitur dhe me qëllim provokues.

“Qëllimi i vetëm ka qenë vendosja e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Si kryeministër i Kosovës ka shprehur publikisht admirimin për forcat e rendit. “Vendimi ka qenë jo i lehtë, por i drejtë dhe i domosdoshëm, në fund të fundit si kryeministër kam përgjegjësi morale dhe ligjore të marr vendime të rënda, por është e rëndësishme të jenë vendime të drejta”. “S’mund të jemi indiferent dhe përjetësisht të tolerojmë që sovraniteti ynë të cenohet, që një pjesë e atdheut të përdoret për kontrabandë”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Ai ka ftuar qytetarët e Kosovës për mirëkuptim, qetësi dhe gjakftohtësi, kurse Beogradit i ka bërë thirrje që të evropianizojë qasjen në raport edhe me shtetin e Kosovës, duke thënë se bashkëpunimi është në interes të të dyja shteteve. Thaçi ka porositur se s’do të bëjë kompromis me askënd për sigurinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës, dhe se vendimi është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. “Partneritetin me miqtë ndërkombëtar duhet ta ruajmë si sytë e ballit”, potencoi Thaçi, ndonëse bëri të ditur vendosmërinë e tij për respektimin e Kushtetutës dhe ruajtjen e sovranitetit të Republikës.