Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 17:25

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe Komisionerin për Zgjerim, Stefan Füle, me të cilët diskutoi për perspektivën evropiane të Kosovës.

“I konfirmova z. Barroso se integrimi evropian i Kosovës, është një përkushtim dhe platformë kombëtare, është vullneti i qytetarëve të Kosovës, është vizioni politik, është platforma, rreth së cilës ka një konsensus të brendshëm shoqëror dhe politik, për të cilin Qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim të madh”, theksoi pas takimit kryeministri Thaçi, duke premtuar përmbushjen e obligimeve që Kosova sa më shpejt të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Ai tha se Kosova do të adresojë kujdesshëm dhe vëmendshëm sfidat në shërimin e problemeve kronike që i ka trashëguar.

“Niveli i zhvillimit ekonomik dhe krijimi i mundësive evropiane në Kosovë, vazhdon të mbetet prioriteti kryesor. Reforma legjislative, krijimi i mekanizmave institucionale dhe luftimi i dukurive negative, do të jetë prioriteti ynë”, shtoi ai.

Kryeministri Thaçi theksoi se “Kosova kërkon dhe meriton me të drejtë të jetë pjesë e integrimit evropian; pret formalizimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, pret avancimin në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, marrëdhënie tregtare dhe dimensione të tjera integruese. Qytetarët e Kosovës janë evropianët e rinj që punojnë dhe angazhohen që sa më parë të jemi pjesë e familjes evropiane”.

Në të njëjtën kohë, shtoi ai, “dëshiroj të theksoj se ne do të vazhdojmë me qeverisjen e mirë, qeverisje efikase për ndërtimin e Kosovës demokratike dhe shumetnike, në sundimin e ligjit dhe luftës së pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative”.

Kryeministri Thaçi premtoi bashkëpunim të mirë dhe të shkëlqyer me të gjithë.

“Gjithashtu besojmë edhe në dialogun, që do të rezultojë me sukses dhe konkret mes Kosovës dhe Serbisë, gjithmonë në përputhshmëri me standardet, vlerat dhe zgjidhjet evropiane”, tha ai.

Ai shtoi se “Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të ketë bashkëpunim të ngushtë, sa i përket sundimit të ligjit dhe reformave të nevojshme, edhe me EULEX-in, një bashkëpunim ky, që do të rezultojë gjithashtu me sukses”.

“Në anën tjetër, dëshiroj të theksoj se dialogu me Serbinë është në interesin e dy vendeve tona, popujve tanë. Kosova është duke punuar maksimalisht me të gjithë partnerët e saj, në mënyrë që të jetë një shembull i paqes, stabilitetit, bashkëpunimit rajonal, si dhe perspektivës rajonale evropiane”, theksoi kryeministri Thaçi.

Në njoftimin për takimin nga zyra e shtypit e Qeverisë kosovare bëhet e ditur se Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso theksoi se qëllimi i vizitës është për të konfirmuar përkushtimin tonë të fuqishëm ndaj perspektivës evropiane të Kosovës. Komisioni do të vazhdojë të mbështesë Kosovën drejt Evropës.

“Ne kemi ofruar ndihmë përmes Komisionit Evropian dhe do të vazhdojmë t’u mbështesim”, theksoi Barroso, duke shtuar se Kosova duhet të shtyjë më tutje reformat.

“Mesazhi im për ju është që të vazhdoni me përshpejtimin e këtyre reformave. Ne jemi me ju në këto reforma dhe ne besojmë se ju keni një perspektivë evropiane dhe do të keni përkrahjen tonë në këtë drejtim. Është i nevojshëm forcimi i demokracinë, sundimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, lufta ndaj krimit të organizuar”, tha ai dhe theksoi se për këto çështje do të bisedojë së shpejti me Thaçin në Bruksel.

Presidenti Barroso tha se BE i kushton rëndësi të veçantë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është një prej kushteve themelore në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Kryeministri Hashim Thaçi, presidenti i Komisionit Evropian, Barroso dhe komisionari Füle sot kanë vizituar edhe Graçanicën, me ç’rast kanë vënë gurthemelin për ndërtimin e objektit të ri të komunës së Graçanicës.

“Jemi këtu në Graçanicë bashkërisht, Qeveria qendrore, niveli lokal, Presidenti Barroso, jemi bashkë Kosova dhe Evropa, në të ardhmen tonë demokratike, për Kosovën multietnike, për Kosovën me të ardhmen e sigurt evropiane”, theksoi Thaçi duke shtuar se ky është objekti i bashkëjetesës, objekti i investimeve të Qeverisë së Kosovës dhe sot, ne po realizojmë atë të cilën ndoshta vetëm para dy vitesh ka qenë e paimagjinueshme.