Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 12:20

Prishtinë – “Kosova ka vënë vijat e kuqe në dialogun ndërshtetëror me Serbinë”, tha kryeministri Hashim Thaçi pak më parë në seancën plenare të Kuvendit të Republikës lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kosova është e gatshme për njohje reciproke, pra që Kosova ta njohë Serbinë dhe Serbia Kosovën si shtet”, tha kryeministri Thaçi.

Ai tha se Qeveria e Kosovës e ka platformën e shtetit të Kosovës për dialogun teknik me Serbinë nga rezoluta e nxjerrë në Kuvend në seancën e 10 marsit.

Në dialogun me Serbinë, tha më tej Thaçi, “ne si institucione të Kosovës kemi vendosur edhe vijat e kuqe, për çështjet të cilat në asnjë mënyrë nuk do të jenë pjesë e asnjë dialogu të mundshëm”.

“Këto parime të panegociueshme apo vija të kuqe janë: statusi i Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, pavarësia e Kosovës është e panegociueshme, Kosova është e pavarur me integritet territorial të paprekshëm, të njohur ndërkombëtarisht”, theksoi kryeministri Thaçi.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në mocionin për interpelancë dhe në fjalën e Albin Kurtit për këtë ka ftuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të votojnë mocionin për të ndërprerë bisedimet me Serbinë dhe që Qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për të shtrirë autoritetin e shtetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj, veçanërisht në veri.

Debati rreth interpelancës po vazhdon.

Në Prishtinë dje pasdite u njoftua zyrtarisht se raundi i katërt i dialogut teknik Kosovë-Serbi do zhvillohet më datë 17 dhe 18 të këtij muaji në Bruksel, ku janë zhvilluar edhe tre raundet e deritashme, duke filluar nga 8 marsi i këtij viti.