Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 12:06

Prishtinë – Deputetët e opozitës kanë kritikuar në seancën e sotme të Kuvendit, vendimin e qeverisë për të ndryshuar trasenë e autostradës Morinë-Merdare.

Kryeministri Hashim Thaçi, në përgjigje të akuzave, tha se është shqetësues kundërshtimi që i bëhet ndërtimit të autostradës.

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kundërshtoi sot vendimin e Qeverisë së Kosovës për të ndryshuar trasenë e autostradës Morinë-Merdare. Ismet Beqiri tha se vendimin për ndryshimin e trasesë duhet ta marrë Kuvendi i Kosovës.

Edhe deputeti i Aleancës për ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, kritikoi vendimin e qeverisë për ndryshimin e trasesë së autostradës.

Mirëpo kryeministri Hashim Thaçi shprehu shqetësimin me kundërshtimin që po i bëhet ndërtimit të autostradës. Ai tha se ndryshimi i trasesë është bërë me qëllim të kursimit të rreth 350 milion eurove.

Në fillim të seancës së sotme të Kuvendit, deputeti Bekim Haxhiu ka kujtuar inicimin e Partisë Demokratike për një rezolutë të Kuvendit të Kosovës, e cila do të kërkonte zbardhjen e gjitha krimeve të pasluftës. Por, ka reaguar kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi i cili ua bëri me dije deputetëve kompetencat që ka Kuvendi i Kosovës dhe i ftoi ata që për cilindo fakt që kanë për ndonjë krim le t’i drejtohen Prokurorisë dhe gjykatave kosovare e të mos e shndërrojnë Kuvendin e Kosovës në një arenë diskutimesh për krimin, pasi këtë duhet ta bëjnë organet e tjera.

Kuvendi në seancën e sotme do të shqyrtoje edhe disa projektligje ndër të cilët edhe atë për gjendjen civile, atë për noterinë si dhe tregëtinë e brendshme.

Pritet që Kuvendi të miratojë edhe Planin e veprimit të Kuvendit për integrime evropiane, për vitin 2011 si dhe Rezolutën për angazhimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Seanca  vazhdon me debatin.