Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 13:52

Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha agjencitë e përfshira në përmbushjen e objektivave që dalin nga Strategjia dhe Plani i veprimit për menaxhimin e integruar të kufirit dhe paralajmëroi se në fund të këtij viti do të bëhet një vlerësim i përgjithshëm i implementimit të kësaj strategjie.

Ministri Rexhepi këto komente i bëri në takimin e bordit ekzekutiv për implementimin e strategjisë së menaxhimit të integruar të kufirit.

Ai tha se para hartimit të Strategjisë së re për MIK, duhet të përmbushen objektivat që janë të parapara me Plan të Veprimit.

“Fokusi duhet të përqendrohet në marrjen e përgjegjësive për sektorin e tretë të vijës së gjelbër me Maqedoninë, funksionalizimin e plotë të BMS-it dhe ndërmarrjen e operacioneve për parandalimin e fluksit të migruesve ilegalë”, tha Rexhepi.

Ai kërkoi angazhim shtesë nga Policia, Dogana dhe AUV që të përgatiten për menaxhimin e fluksit të madh të hyrje-daljeve gjatë sezonit të verës.

Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv i AUV, ndër sukseset e raportuara përmendi faktin se ka filluar faza e përzgjedhjes së kompanisë për krijimin e një softueri për grumbullimin e të gjitha të dhënave që hyjnë në AUV.

Gjinovci, gjithashtu, paralajmëroi nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë në fushën e kontrollit të ushqimit me Autoritetin Kombëtar Shqiptar, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë takim të morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, zyrtarë të lartë të MPB-së, përfaqësues nga Policia e Kosovës, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Doganës së Kosovës.