Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 14:09

Prishtinë – Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kritikuar sot qeverinë që ka pranuar të bisedojë me qeverinë e Serbisë për çështjen e personave të pagjetur.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputeti nga lëvizja “ Vetëvendosja”, Afrim Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se  po vazhdon të neglizhojë çështjen e personave të pagjetur.

Madje, ai kritikoi qeverinë se ka pranuar që çështjen e personave të pagjetur ta vendosë në tavolinë të bisedimeve që po zhvillohen midis Kosovës dhe Serbisë.

“Po të ishte serioze kjo qeveri gjëja minimale që do të bënte kjo qeveri do të ishte ti kushtëzonte bisedimet me çështjen e të zhdukurve. Pra, kursesi të mos pranonte të fliste me Beogradin pa e pranuar krimin dhe pa i kthyer personat e rrëmbyer”, ka thënë ai.

Hoti përmendi edhe hapjen e një Gjykate për krime të luftës, gjë e cila, sipas tij, është kërkesë e vetë familjarëve të personave të pagjetur.