Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 09:12

Prishtinë – Udhëheqësja e delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë, zv/ kryeministrja Edita Tahiri, tha dje pasdite, pas kthimit nga Brukseli, se përmes marrëveshjeve të arritura për lëvizjen e lirë, për njohjen reciproke të diplomave universitare si dhe regjistrave civile, bëhen hapat e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve.

Sipas saj, “ky është një hap i parë i Serbisë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”.

Tahiri bëri të ditur se marrëveshja për lëvizje të lirë bazohet në parimin e reciprocitetit të plotë.

“Ajo që vlen për qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit në Serbi apo përmes Serbisë, e njëjta vlen edhe për qytetarët e Serbisë në Kosovë apo nëpër Kosovë”, pohoi Tahiri. Ajo ka thënë se element i rëndësishëm i marrëveshjes është se të dyja shtetet kanë marrë vendim që përmes lejeve të njoftimeve të bëhet kalimi mes dy vendeve.

Për sa i takon njohjes reciproke të diplomave universitare Tahiri tha se është lajm shumë i mirë, veçmas për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse ata kryesisht shkollohen në Kosovë dhe më pas kanë vështirësi për nostrifikim diplomash, pastaj për vazhdim studimesh apo punësim.

“Sa i përket regjistrave civil marrëveshja parasheh kthimin e kopjeve të çertifikuara të regjistrave civil. Kjo është një zgjidhje kalimtare. Ne e kemi pranuar këtë, sepse përmes kësaj plotësojmë kuadrin e regjistrit civil dhe plotësojmë një prej kushteve për liberalizim të vizave, për çka jemi duke u angazhuar intensivisht”, ka thënë zv/kryeministrja Tahiri.