Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 13:19

Kosovw: Sundimi i ligjit, ja prioritetet e qeverisë

Prishtinë – Përmirësimi i institucioneve të rendit dhe ligjit, institucioneve të sigurisë, kontrolli kufitar dhe doganor janë prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare për sundim të plotë të rendit dhe ligjit. Bordi për Sundimin e Ligjit është mbledhur të hënën për t’i diskutuar prioritetet kryesore për periudhën gjashtëmujore, të cilat janë identifikuar më 9 mars të këtij viti.

Bashkëkryesuesit e këtij bordi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe shefi i EULEX-it, Ksavier But de Marnak kanë shprehur zotimin e tyre për implementimin e këtyre prioriteteve, ndërkaq edhe bashkëdrejtuesi i ri i bordit, përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Khaldoun Sino ka thënë se do të jap kontributin e tij në arritjen e progresit.

Kuçi ka sugjeruar që të gjitha grupet punuese, që përfshijnë përfaqësuesin e ministrive, të komponenteve të EULEX-it dhe të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, të fokusohen në arritjen e këtyre objektivave dhe në prioritete të përbashkëta, që lidhen me fushën e rendit dhe ligjit.

Ai ka thënë më tej se Qeverisë së Republikës së Kosovës i duhet ndihmë dhe përkrahje e vazhdueshme nga të gjithë akterët dhe në forcimin e rendit dhe ligjit, ne mënyrë të veçantë në pjesën veriore të Kosovës.

I pranishëm në takimin e radhës të Bordit për Sundimin e Ligjit, ishte edhe përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, pjesëmarrjen e të cilit, shefi i EULEX-it, Ksavier But De Marnak e konsideroi si një përpjekje të përbashkët për të promovuar aftësinë e Kosovës për t’u ofruar në BE.

Marnak ka thënë se prioritetet e identifikuara do t’i ndihmojnë secilit në punën e Bordit për Sundimin e Ligjit.

“Po shikojmë disa nga këto prioritete dhe në muajt e ardhshëm do të fokusohemi të marrim rezultate që do të ndihmojnë Kosovën të marrë një raport të progresit sa më të mirë që është e mundur. Raporti i progresit do t’i tregojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së dhe ne mundohemi që ky bord të ndihmojë në këtë proces”, ka thënë Marnak.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së, Khaldoun Sino, i cili deri tani ka qenë në detyrën e vëzhguesit të këtij bordi, ka thënë se tani si pjesë drejtuese e bordit do të angazhohet për arritjen e progresit në sundimin e ligjit. Ai ka thënë se pret që raporti i ri i progresit të jetë më pozitiv.

“Ne duam të shohim një progres më të mirë këtë vit. Siç e dini ne kemi filluar punën dhe presim që më 12 tetor ta publikojmë raportin e progresit dhe dialogu politik ka filluar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Jam i kënaqur që në zgjedhjet e fundit ne kemi ngritur bashkëpunimin me EULEX-in. Ato çka kanë dalë nga këto mbledhje janë edhe konkluzionet që na udhëheqin në punën tonë”, ka thënë Sino.

Ai ka thënë se si pikat më të rëndësishme të sundimit të ligjit, i sheh funksionimin  e gjyqësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, funksionimin e kufijve dhe funksionimi i plotë i administratës në Kosovë.