Lajme Shqip Saturday, 09 April 2011 14:07

Në shenjë indinjate dhe pakënaqësie me arrestimet e fundit ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga ana e EULEX-it, Parlamenti i Studentëve i UP-së do të organizojë të mërkurën një protestë para selisë së misionit ndërkombëtar për sundimin dhe rendit të ligjit në Kosovë.

Selim Daku, kryetar i PS të Universitetit të Prishtinës, ka thënë të shtunën se studentët do të mblidhen në ora 12. para Fakultetit Filologjik dhe do të marshojnë drejt selisë së EULEX-it, për të shprehur kundërshtimin dhe pakënaqësinë me veprimet e misionit ndërkombëtar të Kosovë.

Për më tepër, Daku ka theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe luftë e pastër dhe se arrestimet janë të padrejta.

Ndryshe, kohë më parë Policia e EULEX-it ka arrestuar disa ish-pjesëtarë të UÇK-së nën dyshimin për kinse krime lufte, si dhe ka lëshuar fletarrestim për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj.