Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 09:44

Prishtinë – Një ditë pas vendimit për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë, në pikat kufitare janë grumbulluar kamionë të cilët bartnin mallra me vulat serbe që e kishin destinacion Kosovën. Kjo i nervozoi biznesmenët e Serbisë, të cilëve ky vendim do t’u shkaktojë humbje. I irrituar u shfaq edhe Presidenti Boris Tadiç. Ai tha se reciprociteti i vendosur nga Prishtina është një provokim i madh dhe gjest i gabuar.

Në këtë përplasje, sipas ekspertëve, pritet të përfitojnë vendet e treta të rajonit. Ata vlerësojnë se bllokada e dyanshme i hap rrugë rritjes së këmbimit tregtar, sidomos ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se është duke u zbatuar vendimi mbi parimin e reciprocitetit dhe janë kthyer edhe ngarkesat e para që vijnë nga Serbia. Ndërkohë, siç ka njoftuar Stavileci, ka rënie në ardhjen e ngarkesave nga shteti fqinnje, që supozohet se ka ndodhë me përhapjen e njoftimit për zbatimin e reciprocitetit.

Kryetari i Odës Safet Gërxhaliu, duke e përgëzuar ministren Mimoza Kusari – Lila për guxim, nuk pret se do të ketë probleme në treg.

“Ne si OEK kemi partneritet me Odat e ndryshme homologe në rajon, në EU e më gjerë dhe të gjitha janë të zotuara që të shfrytëzojnë këtë moment për pozicionim në tregun kosovar dhe e tëra kjo është një garanci se nuk ka arsye për panik ose për një pasiguri për mungesë të mallrave”, tha Gërxhaliu.

Nga ana e tij, njëri ndër importuesit më të mëdhenj nga Serbia, deputeti Ramiz Kelmendi, po ashtu e përshëndet vendimin e qeverisë, por pret një mungesë të produkteve dhe ngritje të lehtë të çmimeve.

Ndryshe, kryetari I Odës Gërxhaliu, frikohet se afaristët do të tentojnë t’i futin mallrat serbe përmes Shqipërisë e Maqedonisë. Këtë mundësi të rieksportit, nuk e përjashtoi as zëdhënësi i Doganava, Stavilec.