Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 11:55

Prishtinë – Tendencat e Serbisë për t’i futur brenda kufijve të saj tri komunat veriore të Kosovës mund të përfundojë me nxjerrjen e një autonomie substanciale për serbët që jetojnë në Zubin Potok, Leposaviq dhe në Zveçan, shkruan e përditshmja kosovare “Koha Ditore”.

Një paralajmërim të tillë e kanë bërë burime të gazetës brenda institucioneve të larta shtetërore, duke mos e përjashtuar mundësinë që “autonomia substanciale e veriut” të dalë edhe publikisht si propozim i një pjese të faktorit ndërkombëtar gjatë ditëve në vijim.

“Miqtë ndërkombëtarë kanë filluar ta shohin si mision të pamundur integrimin e veriut pas 12 vjetësh shkëputjeje nga pjesa tjetër e shtetit. Dhe, me qëllim të shmangies së konflikteve të armatosura, si rrugëzgjidhje më të pranueshme ata po e shohin dhënien e një statusi special për atë pjesë”, ka thënë burimi i gazetës.

Ai ka sqaruar se “ndërkombëtarët” e arsyetojnë këtë formulë, duke thënë se vetëm në këtë mënyrë Kosova do të arrijë t’i ruajë kufijtë e saj aktualë.

Sipas tij, ideja e ndërkombëtarëve është që komunat në veri të njihen si njësi të veçanta dhe t’u jepen kompetenca në vetëqeverisje dhe financim. Mirëpo, ka thënë ai, autoritetet vendëse deri tash nuk kanë dhënë shenja se do ta pranojnë një zgjidhje të tillë.