Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 14:30

Prishtinë – Nën drejtimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, sot në Prishtinë u mbajt takimi i dytë i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, temë e të cilit ishte shqyrtimi i kornizës legjislative dhe identifikimi i mënyrave për fuqizimin e kornizës ligjore ekzistuese për luftimin e korrupsionit.

“Lufta kundër korrupsionit fillon seriozisht kur ndërtohet infrastruktura adekuate ligjore dhe sigurohet zbatimi i plotë i saj. Këto çështje u identifikuan dhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, si faktorë që zbehin efikasitetin e luftës kundër korrupsionit”, theksoi Jahjaga.

Ajo ritheksoi se lufta kundër korrupsionit është një nga angazhimet kryesore kosovare në shtetndërtim dhe në zhvillimin e proceseve demokratike të vendit tonë.

“Zbatimi i plotë i parimit ‘zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar’ është investimi ynë në rrugën e integrimeve euroatlantike”, u shpreh Presidentja e Kosovës, Jahjaga.

Në vazhdim, folën edhe zëvendëskryeministri e ministri i Drejtësisë në qeverinë e Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, si dhe zv/shefi i Misionit të EULEX-it, Andy Sparkes.