Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 15:11

Prishtinë – Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, po qëndron në Kosovë, për të zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, në kuadër të dialogut, i cili nisi në mars të këtij viti me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, njoftojnë emdiat kosovare.

Ai ka hyrë në mëngjes në Kosovë, përmes pikës kufitare në Merdarë, ndërsa gjatë ditës do të përcillet nga policia e Kosovës.

Zëdhënësja e policisë së Kosovës, Sabrie Kamberi, konfirmoi për hyrjen e Stefanoviqit në territorin e Kosovës.

“Ne sapo morëm konfirmimin nga kolegët tanë se ai e ka kaluar pikën kufitare të Merdarës dhe sigurisht që është nën përcjelljen e njësive të trafikut të Policisë së Kosovës dhe gjatë ditës po këto njësi do ta bëjnë përcjelljen e tij në bazë të agjendës së paraparë me takimet që do t’i zhvillojë gjatë ditës”, tha ajo.

Vizita e Stefanoviqit në Kosovë cilësohet si vizita e tij e parë zyrtare e këtij lloji, ndonëse vet Stefanoviq ka pohuar të ketë qenë edhe më herët në pjesë të ndryshme të Kosovës, për t’u takuar me përfaqësues të serbëve kosovarë.

Gjatë ditës, në Prishtinë, ai pritet të takohet me shefen e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, dhe zëvendës kryeministrin, Hajredin Kuçi.

Lëvizja Vetëvendosje tha se e ka bllokuar ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.