Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 17:26

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot ministren e Punëve të Brendshme të Sllovenisë, Katarina Kresal. Ministrja Kresal e uroi presidenten për zgjedhjen në krye të vendit dhe i shprehu mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën në fushën ekonomike dhe atë politike. Ajo ofroi përkrahjen e Ministrisë së Brendshme të Sllovenisë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe u angazhua për qartësimin e pozitës së Kosovës në raport me BE-në, bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës kosovare.

Presidentja Jahjaga e falënderoi ministren e Brendshme të Sllovenisë për përkrahjen që vendi i saj i ka ofruar dhe po i ofron Kosovës dhe e vlerësoi bashkëpunimin e ndërsjellë në fusha të ndryshme.

Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e madhe që ka përfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe tha se vendosja e marrëdhënies kontraktuale me BE-në i ndihmon reformat e brendshme si dhe hap perspektivën evropiane për Kosovën.