Lajme Shqip Tuesday, 29 May 2012 13:47

Prishtinë – Vendimi i Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Bujës, që të gjithë studentëve të Universitetit të Prishtinës, t’u lejohet të marrin pjesë në zgjedhjet studentore, ka shtyrë studentët e Lëvizjes Studentore, “Studim, Kritikë, Veprim”, që të ndërpresin protestën e tyre. Ata menjëherë pas kumtimit të vendimit nga ana e ministrit Buja, kanë larguar tendat dhe gjërat tjera, nga oborri i Rektoratit.

Studentët e Lëvizjes Studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, qysh në orët e hershme të mëngjesit të së hënës kishin “uzurpuar” Rektoratin, duke mos lejuar hyrjen e asnjë punëtori në këtë institucion.

Rreth 30 studentë të kësaj lëvizje, protestën e vazhduan edhe gjatë natës, duke protestuar ndaj vendimit të Komisionit Zgjedhor të UP-së, që ua ndalon dy përfaqësuesve të kësaj lëvizje, Rron Gjinocit dhe Durim Jasharajt, të marrin pjesë në zgjedhjet studentore, për shkak të një procesi gjyqësor që ata kanë me rektoratin.

Mirëpo, krejt kjo mos marrëveshje mes SKV-së dhe rektoratit, përfundojë kur në oborrin e Rektoratit erdhi të martën, ministri i MASHT-it, Ramë Buja, i cili para këtyre studentëve shfaqi vendimin e tij, ku thuhet se, të gjithë studentët e UP-së kanë të drejt të zgjedhin dhe të zgjidhën, në zgjedhjet studentore.

Por, Buja pati një lutje për të gjithë studentët, duke i thirrur ata që të respektojnë procedurat e zgjedhjeve. “Kjo është e thënë, e shkruar dhe askush nuk ua ndalon. Unë iu kisha lutur miqësisht dhe zyrtarisht, që të jeni respektues të procedurës së zgjedhjeve, në mënyrë që çdo gjë të shkojë mirë. Për ndryshe asnjë arsye nuk ka që ju të mos të merrni pjesë në procesin zgjedhor”, ka thënë Buja.

Vendimin e ministrit Buja, para protestueseve e lexoi, Rron Gjinoci, për të cilin edhe ishin mbledhur. Ai pasi që u sigurua nga ministri Buja, se atij dhe Durim Jasharajt, u lejohet të marrin pjesë në zgjedhjet e UP-së, tha se padrejtësia zgjidhet me organizim dhe me rezistencë paqësore.

“Padrejtësia zgjidhet me organizim dhe me rezistencë paqësore. Unë i ftoj të gjithë studentët e UP-së, që ku do që janë në të gjitha fakultetet e tyre të bashkohen dhe të organizohen ashtu që t’i përgjigjen me forma studentore të gjitha padrejtësive që u bëhen atyre. I ftojë studentët dhe profesorët vullnetmirë që të punojnë për një Universitet të Prishtinës, i porosisë Rektoratin, organizatat e varura studentore, të gjitha administratave të fakulteteve që të përgatiten mirë se tash e tutje, do të kenë punë me SKV-në”, ka thënë Gjinoci. (G.E)