Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 09:53

Prishtinë – Zv/kryeminsitri dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuqi, tha sot se brenda këtij viti do të fillojë funksionimi i sistemit të noterisë në Kosovë.

Kuqi u takua me kryetarin Unionit Ndërkombëtar të Noterisë, Pjer Bek, i cili së bashku me një grup ekspertësh ka bërë vlerësimin e punimeve të kandidatëve kosovarë për noterë.

Sistemi i noterisë pritet të fillojë funksionimin brenda këtij viti. Kandidatët e parë i janë nënshtruar testit me shkrim dhe të suksesshmit pritet të vazhdojnë edhe pjesën e provimit me gojë.

Procesin tetstimit po e mbikqyrin ekspertë të Unionit Ndërkombëtar të Noterisë. Në kuadër të ekspertëve të Unionit Ndërkombëtar të Noterisë, është edhe vetë kryetari Pjer Bek. Ai thotë se gjatë testit me shkrim ka pasur punime mjaft të mira, të cilat premtojnë se Kosova do të ketë noterë të mirë.

“Duhet të dihet se noteri është një zyrtar publik, të cilit shteti ia delegon një pushtet, dhe noteri ua jep akteve forcën provuese dhe ekzekutuese. Pra, puna e noterit është shumë e rëndësishme me çështjen komerciale, por edhe në të gjitha transaksionet mes qytetarëve”, ka thënë Bek.

Unioni Ndërkombëtar i Noterisë do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën edhe në të ardhmen, deri sa të funksionalizohet si duhet sistemi i noterisë në Kosovë.