Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 17:08

Prishtinë-Situata në veri të Mitrovicës mbetet e tensionuar pasi banorët shqiptarë atje ndjehen të pasigurt për jetën e tyre dhe të familjarëve. Zonat e banuara me shqiptarë në disa lagje të veriut i vizitoi kryetari i komunës Avni Kastrati, i cili i inkurajoi ata të mos lëshojnë shtëpitë përderisa iu bëri thirrje për vetëmbrojtje.

“Jemi marrë vesh se në situata të tilla nëse vjen deri te sulmi eventual nëpër shtëpi secili të mbrojë pragun e shtëpisë se mënyra tjera për momentin nuk ka”-tha ai. 

Kryetari Kastrati tha se për momentin nuk ka informacione se qytetarëve shqiptarë po u bëhet presion për të lëshuar shtëpitë. Ndërsa ka shtuar gjithashtu se, nuk kishte informacione nëse një pjesë e tyre i kanë vënë në shitje pronat. Vizitës së tij i parapriu një takim me banorët shqiptarë të pjesës veriore të cilët kërkuan më shumë siguri nga organet e rendit për jetën e tyre.

Në anën tjetër, shefi i policisë rajonale Nehat Thaçi tha se policia po mundohet të ofrojë siguri në atë pjesë të vendit, mirëpo nuk bëri të ditura plane konkrete për këtë. Ai nuk qartësoi nëse do të vendosen sërish pikat statike të policisë të cilat dje u demoluan nga bandat kriminale serbe. Ai tha se policët e Kosovës janë të pranishëm në atë pjesë dhe se në bashkëpunim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in po shikohen mundësinë për forcimin e sigurisë në veri. (LajmeShqip.com)