Lajme Shqip Thursday, 06 December 2012 18:13

Prishtinë – Është shtyrë votimi i anëtarëve të bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Kjo u bë pasi që deputetët kanë dhënë vërejtjet e tyre, të cilat morrën mbështetje edhe nga partia në pushtet, PDK, ku anëtari i komisionit për këtë çështje e ka pranuar se në CV-të e kandidatëve ka mjaft pak të dhëna për ta. Opozita e ka kundërshtuar një listë të tillë të kandidatëve, duke e quajtur edhe si të politizuar, pasi që në atë listë kishte edhe anëtar të Këshillit Drejtues të PDK-së, ish-zëvendësministër dhe po ashtu edhe kandidat për deputet nga kjo parti.

Zenun Pajaziti, kryesues i komisionit për çështjen e CV-ve të kandidatëve për anëtarë të bordit të AKP-së, e ka pranuar se ka mungesë mjaftueshme të të dhënave për kandidatët dhe ka kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të mos hedhet në votim, duke kërkuar që të votohet mocioni i PDK-së për ta shtyrë këtë çështje.

“Ka qenë një vendim dhe një qëndrim i të gjithëve që në ndërkohë të plotësohet lista e këtyre anëtarëve me CV-të dhe informatat shtesë, të cilat ju mungojnë. Dhe rrjedhimisht kjo nuk ka ndodhur në ndërkohë dhe rrjedhimisht Grupet Parlamentare të vendosin vet se çka të bëjnë. Meqenëse ne e kemi prezentuar qëndrimin e komisionit në Grupin Parlamentar është një vendim i Grupit Parlamentar të PDK-së se meqenëse nuk janë plotësuar këto CV, meqenëse ndërkohë nuk kanë arritur këto informata shtesë për këta kandidat, të mos aprovohet sot dhe rrjedhimisht të kërkohet nga Qeveria që sa më shpejt të plotësohen emrat ose CV-të e tyre me informatat shtesë të cilat duhet t’i kenë të gjithë deputetët në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Kurse kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se ky bord është i politizuar, edhe pse, sipas ti, Thaçi ishte zotuar se nuk do të jetë politizim të tij, duke shtuar se LDK-ja do të votojë kundër.

“Ky bord është i politizuar, e kemi thënë shumë qartë edhe në paraqitjet tona, edhe sot po e themi, ndërkaq nga vetë zotëri Thaçi, këtu në seancë më 2 tetor ka thënë se ‘ne si qeveri nuk do të politizojmë bordin’, në këtë rast të Agjencionit për Privatizim dhe në propozim ndodh e kundërta. Sepse, pa keqkuptim, mund të ketë përgatitje, por këtu kemi propozimin për vetë kryesuesin që është eksponent, anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, ish-zëvendësministër dhe po ashtu edhe kandidat për deputet. Prandaj, këtu s’ka të bëjë me kurrfarë pavarësie të agjencioni dhe ne do ta votojmë kundër këtij propozimi ”, ka thënë ai.

Visar Ymeri nga Vetëvendosje, po ashtu e ka kundërshtuar listën e kandidatëve për anëtarë të bordit të AKP-së.

“Edhe Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes konsideron se kjo listë, e cila na është paraqitur me kandidatë për anëtarë të bordit të AKP-së është e papranueshme për shumë arsye që u thanë këtu, por edhe për disa arsye tjera. Me këtë listë të kandidatëve Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë kundër ”, ka thënë ai.

Po ashtu edhe AAK-ja e ka parë të arsyeshme që kjo çështje të shtyhet. Ardian Gjini nga Grupi Parlamentar i AAK-së, ka thënë se derisa dimë fare pak për kandidatët e propozuar, atëherë do të ishte më mirë të shtyhet kjo çështje.

“Mendoj se praktikisht kish me qenë jo në rregull që ne të votojmë qoftë ‘për’ qoftë ‘kundër’ emrave të njerëzve për të cilët nuk kemi marrë asnjë CV, që mendoj se duhet të kompletohet dhe të bëhet në seancën e parë të radhës sa më shpejtë që të jetë e mundshme”, ka thënë ani.

Edhe koalicioni i AKR-së e ka kritikuar këtë çështje. Myzejene Selmani nga Grupi Parlamentar i koalicionit të AKR-së, ka thënë se vendimi i Qeverisë i vonshëm, duke shtuar se çdo vonesë në këtë drejtim do të ketë pasoja.

“Tash është krejt me vonesë, ata është dashur kaherë t’i sjellin para se me dalë emrat e tyre në seancë, ndërsa edhe kësaj radhe vendimi i Qeverisë është shumë i vonshëm dhe na qet para aktit të kryer duke e ditur se bordi i AKP-së është dashur më herët të kompletohet dhe çdo vonesë e votimit të këtij bordi sjell pasoja”, ka thënë ajo.

Pas deklarimeve të grupeve parlamentare, është hedhur në votim mocioni i PDK-së që kjo çështje të shtyhet, kjo është votuar me shumicë votash në Kuvend, duke i dhënë udhë që kjo çështje të plotësohet dhe në seancat e ardhshme të Kuvendit të votohet.(K.P)