Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 17:55

Prishtinë – Në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, sot pasdite, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka njoftuar kabinetin qeveritar për nënshkrimin e memorandumit me Republikën e Shqipërisë për thjeshtësimin e proceduarve të kontrollit kufitar që nga 1 maji.

     Ndërsa, në një vjetorin e fillimit të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdar, në vazhim të Rrugës së Kombit nga Durrësi në Morinë, të përfunduar në Shqipëri, kryeministri Thaçi ka vlerësuar lartë punën e kryer në këtë projekt të rëndësishëm për vendin.

     “I gjithë ky projekti është duke shkuar sipas planifikimit që kemi bërë si Qeveri e Republikës së Kosovës, së bashku me konsorciumin Bektel Enka. Të gjitha obligimet Qeveria e Republikës së Kosovës i ka kryer me përgjegjësi të lartë”, tha ai.

     Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për angazhimin e zyrtarëve për pajisjen me dokumente personale nëpër misionet konsullore të Republikës së Kosovës.

     Në fillim të mbledhjes, kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka përshëndetur krijimin e komisionit për ndryshimin e kushtetutës dhe komisionit për reformën e sistemit zgjedhor.