Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 16:55

Prishtinë – Drejtori për Politika dhe Plane në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala dhe Adriatik Mema, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Mbrojtjes të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, nënshkruan sot Planin Vjetor të Bashkëpunimit.

Vizita e delegacionit shqiptar në Ministrinë e FSK, me 14 dhe 15 prill, u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të dy ministrive si rrjedhojë e takimit të Ministrit Çeku dhe Ministrit Imami, të zhvilluar kohë më parë në Tiranë, dhe në kuadër të realizimit të marrëveshjes së bashkëpunimit që kanë këto dy ministri, theksohet sot në njoftimin e Ministrisë kosovare.

Bëhet e ditur se delegacioni i lartë nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë u prit dje në takim nga Ministri i Forcës së Sigurisë Agim Çeku, i cili i falënderoj për vizitën, dhe për kontributin e dhënë në fushën e planifikimit dhe bërjes së politikave.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë delegacioni i lartë i Ministrisë se Mbrojtjes së Shqipërisë, i kryesuar nga Adriatik Mema, patën takim edhe me gjeneralmajor Kadri Kastratin, Drejtor për Operacione në Ministrinë e FSK-së.

Delegacioni nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë vizituoi Komandën e Forcave Tokësore dhe u takuan me Komandantin e KFT-së gjeneralmajor Rrahman Rama, si dhe me gjeneralbrigade Enver Cikaqin, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.