Lajme Shqip Saturday, 10 March 2012 16:32

Prishtinë-Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi dhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani, nënshkruan sot në Prishtinë protokollet për patrullimin e përbashkët gjatë kufirit shtetëror mes të dy vendeve.

Ministri Rexhepi tha se këto vite kemi pasur një bashkëpunim të mirë dhe ky bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, në drejtim të një sigurie më të madhe në rajon,  ka bërë që të kemi një lufte më efikase kundër krimit të organizuar.

“Në vazhdën e formalizmit të bashkëpunimit që kemi pasur deri më tani, sot nënshkruam edhe dy protokolle të bashkëpunimit për patrullime të përbashkëta kufitare në vijën e gjelbër, ku policitë tona kufitare nga nivele të caktuara, qoftë nga niveli qendror, rajonal ose lokal, mund të bashkëpunojmë në një luftë më efikase të parandalimit të trafiqeve të drogave të ndryshme, të krimit të organizuar”, theksoi ministri Rexhepi, pas takimit.

Ai vuri në dukje se shumë shpejt do të fillojë sezoni turistike, ku pritet një fluks shumë i madh dhe, ashtu si edhe gjatë viteve të kaluara, do të krijohen lehtësime për qytetarët me vetëm një ndalesë dhe përgatitjet kanë filluar qysh tani.

“Unë kërkova nga ministri Nishani të na ndihmojnë me përvojën në procesin e liberalizmit të vizave, që për ne është një proces në vazhdim e sipër dhe presim që këtë vit të kemi udhërrëfyesin. Për praktikat e tyre, raportimet, aktet nënligjore vërehet një gatishmëri e plotë që të jenë në dispozicionin tonë, në mënyrë që t’i shfrytëzojmë këto praktika sa më të mira që ne t’i realizojmë synimet tona drejt liberalizmit të vizave”, tha ministri Rexhepi.

Ndërsa, ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, tha se “bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, në luftën ndaj trafiqeve në menaxhimin dhe kontrollin e kufirit, është një nga shembujt më të mirë të bashkëpunimit rajonal”.

Ministri Nishani theksoi se eksperiencat e deritanishme kanë treguar se përveç një vullneti që ekziston midis qeverive, midis ministrive, ekzistojnë kapacitete nga më të larta profesionale të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë dhe strukturave të tyre mbështetëse, në goditjen e fenomeneve të krimit dhe kjo është evidentuar dhe  është bërë pjesë e monitorimit dhe prezantimit nga organizmat ndërkombëtare në raportet e tyre. (LajmeShqip.com)