Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 16:53

Prishtinë – Kosova dhe Shqipëria nënshkruan sot në Prishtinë marrëveshjen mbi transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave.

Marrëveshja mes qeverive të dy vendeve u firmos nga ministri i Punëve Publike dhe Transporteve të Republikës së Shqipërisë, Sokol Olldashi dhe ministri i Infrastrukturës të Republikës së Kosovës, Fehmi Mujota, pas takimit të përbashkët midis tyre.

“Kjo është marrëveshja e dytë më e rëndësishme pas asaj që kemi nënshkruar më parë për transportin ajror”, tha ministri Olldashi, duke paralajmëruar edhe marrëveshje të tjera mes të dy vendeve.

Duke u përgjigjur interesimit të medias ai tha edhe se “porti i Shëngjinit është në çdo sekondë i disponueshëm për qeverinë e Kosovës, për projektet e saj”.

Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve të Republikës së Shqipërisë, Sokol Olldashi, do të pritet në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe do të pritet edhe në Komisionin për Zhvillim  Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës.

Dy ministrat, Olldashi e Mujota, gjatë vizitës do të shikojnë nga afër punimet në trasenë e autostradës Vërmicë-Merdar.