Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 20:09

Prishtinë – Një protestë kundër terrorizmit u zhvillua sot në Prishtinë, në sheshin kryesor “Nënë Tereza”, e iniciuar nga shoqëria civile pas vrasjes së një shqiptari dhe plagosjes së familjarëve të tij, nga një shpërthim më 8 prill, në një banesë në veri të qytetit më të madh verior të Kosovës, Mitrovicës.

Në protestën e zhvilluar nuk kishte flamuj, as fjalime, as edhe parulla përveç asaj “Stop terrorizmit”.

“Pavarësisht përkatësisë etnike, politike, sociale e kulturore të terroristëve apo viktimave, Kosova duhet të reagojë si një shoqëri e pjekur dhe demokratike që i thotë stop kësaj të keqeje të madhe”, thanë organizatorët.

Në thirrjet për protestë u theskua po ashtu se terrorizimi i banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës është i papranueshëm.

Kryefamiljarit Selver Haradinaj të vrarë nga shpërthimi pas mesnatës më 8 prill, këtë vit, në banesën e tij te Tre Rrokaqiejt në veri të Mitrovicës, i ishte vrarë edhe babai në vitin 1999. (LajmeShqip.com)