Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 18:02

Prishtinë – Kosova ka të hapur perspektivën evropiane, tha sot pasdite Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në ceremoninë zyrtare për Ditën e Evropës, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Për Republikën e Kosovës, në Samitin e Selanikut të vitit 2003, u hap perspektiva evropiane, ashtu si edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo mundësoi që shtet-ndërtimi të bëhet sipas modelit të shteteve anëtare të BE-së, kështu që e gjithë infrastruktura ligjore, të gjitha politikat e Kosovës, si dhe puna e të gjitha institucioneve, të zhvillohen në përputhje me Acquis Communautaire”, tha ajo.

Presidentja shtoi se të gjitha vendet që kanë kaluar nëpërmjet procesit të anëtarësimit e që sot janë anëtare të barabarta të BE-së e dinë se sa sfiduese ishte kjo rrugë. “E kjo sfidë është më e madhe për ne, pasi për shkak të mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës nga pesë shtete, Bashkimi Evropian nuk mund të flasë njëzëri karshi këtij procesi”, tha Jahjaga.

Ajo vlerësoi se “janë të shumta sukseset e përbashkëta të Kosovës dhe të Bashkimit Evropian dhe ajo që duam ne, ajo që dëshirojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, është që këto arritje të pakthyeshme të jenë pjesë e procesit të integrimit për të eliminuar çdo mundësi të izolimit, të stagnimit apo edhe të dyshimit në realizimin e qëllimit final të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në BE”.

“Puna dhe përpjekjet tona do të jenë në proporcion me sfidat dhe mundësitë që ofron projekti vizionar i Bashkimit Evropian, sepse populli ynë që me kohë, nëpërmjet pendës së Rilindasve është deklaruar se për ne dielli lind në perëndim”, theksoi Presidentja kosovare.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës besojnë në këtë ideal, besojnë në rrugën euroatlantike, besojnë në Evropën dhe në miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Presidentja Jahjaga.