Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 10:14

Prishtinë- Shefit të Task-forcës kundër korrupsioni në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafit i mbeti birra në gjysmë. 

Derisa ai ishte në njërin nga restorantet e kryeqytetit, një thirrje telefonike nga sekretaria ia prish “rahatllëkun”, ku e njofton prokurorin Mustafi se në zyrën e tij po e prisnin disa policë, të cilët e arrestojnë atë me të arritur në zyrën e tij.

Udhëheqësi i Task-forcës së themeluar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi për luftimin e korrupsioni është arrestuar të hënën pasdite në lidhje me një hetim për korrupsion, të cilin po e zhvillojnë prokurorë të EULEX-it që veprojnë në Prizren dhe Pejë.

Në ditën e arrestimit të prokurorit Mustafi, i cili në Prokurorinë Speciale ka hetuar krimet ekonomike, është arrestuar edhe Reshat Zherka, nga Gjakova, i cili së bashku me vëllanë e tij, Xhelalin, janë miq të shefit të Task-forcës, të cilët dyshohen se janë deleguar nga prokurori Mustafi tek persona të ndryshëm që po hetonte prokurori, për të kërkuar dhe marrë shuma të majme parash në këmbim të mosakuzimit të tyre.

Lajmi për arrestimin e tyre është konfirmuar nga burime të “Zërit” brenda EULEX-it. Po ashtu edhe zyra për informim e këtij misioni ka raportuar për arrestimin e dy personave nën dyshimin për korrupsion, por pa dhënë detaje të mëtutjeshme… /Zeri