Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 23:16

Prishtinë-Ka hyrë në orën e 10-të  dhe po vazhdon nga mëngjesi i sotëm edhe sonte në mbrëmje raundi i tetë i dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Njoftimet  sapo u dhanë sonte nga media e Prishtinës në raportimet nga Brukseli, ku zhvillohet dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me pjesëmarrjen e SHBA-ve, i filluar në 8 marsin e këtij viti.

Sipas burimeve zyrtare  të qeverisë së Kosovës, sot vazhdojnë bisedimet lidhur me problemin e moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, si dhe për mundësinë e arritjes së marrëveshjeve për çështjet e bashkëpunimit rajonal, menaxhimit të integruar të kufijve, telekomunikacionit dhe energjisë.

Udhëheqësja e delegacionit kosovar, zv/kryeministrja Edita Tahiri, para fillimit të takimit të sotëm, ka deklaruar në Bruksel se do të jetë shumë e vështirë të arrihen marrëveshje me Serbinë rreth përfaqësimit rajonal të Kosovës dhe menaxhimit të integruar të kufijve në gjithë territorin e vendit.

Derisa Serbia vazhdon të insistojë që përfaqësimi rajonal i Kosovës të bëhet nën mandatin e UNMIK-ut, shefja e ekipit negociator të Kosovës e quan të papranueshme meqë Kosova tashmë është shtet sovran, kurse UNMIK-u është i tejkaluar.

Sa i përket menaxhimit të integruar të kufijve, udhëheqësja e delegacionit kosovar zgjidhjen e sheh sipas modelit evropian, që del nga Marrëveshja e Lisbonës, pra si dy shtete sovrane, ndërkombëtarisht të njohura nga shumica e shteteve me ndikim në botë. Ajo ka akuzuar Serbinë se nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura.