Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 15:56

Prishtinë – Ambasadori francez Jean-Francois Fitou ka thënë se Traktati i Elizesë i takon të kaluarës dhe më specifikisht Francës dhe Gjermanisë, ndërsa Kosovës i duhen marrëveshjet teknike dhe jo traktate, pasi që lufta ka mbaruar dhe Kosova është e pavarur dhe sovrane, mirëpo ka shtuar se çfarëdo normalizimi që do të ndodhë me Serbinë do të jetë një gjë e mirë për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë.

Ambasadori francez Fitou këto komente i bëri gjatë një konference për media të organizuar me rastin e shënimit të 50-vjetorit të Traktatit të Elizesë. Fitou po ashtu ka bërë të qartë se shtetet që mbështesin Kosovën kanë dy mesazhe për Serbinë. I pari është që lufta ka mbaruar dhe frika nga kërcënimi nuk është më këtu, ndërkaq mesazhi i dytë, sipas Fitous, është se çfarëdo normalizimi që do të ndodhte me Serbinë, do të ishte një gjë e mirë për të dyja vendet.

“Nuk jam duke biseduar për ndonjë lloj traktati ose ndonjë marrëveshje specifike tani. Nuk më takon mua dhe besoj se nuk na takon ne diplomatëve për të treguar se çfarë duhet të jetë zgjidhja. Pra, nuk jam duke thënë se na duhet traktati, na duhen marrëveshje teknike. Ajo çfarë mendoj unë, çfarë mendojnë gjermanët dhe francezët dhe shtetet që mbështesin Kosovën është që ne kemi dy mesazhe. I pari është që lufta ka mbaruar, frika nga kërcënimi nuk është më këtu. Mos keni frike më për vendin, sovranitetin, jetën dhe territorin tuaj. Ne jemi këtu, ne përkrahim këtë dhe ju duhet te jeni të sigurt. E dyta është se çfarëdo normalizimi që do të ndodhë me Serbinë do të jetë një gjë e mirë, do të jetë mirë për të dy vendet”, ka thënë ai.

I pyetur nga gazetarët për mundësinë e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që mentaliteti i dy popujve është i kundërt, Fitou ka thënë se as për gjermanët dhe francezët nuk ka qenë e lehtë për t’u pajtuar, por ka shtuar se mentalitetet e tilla duhet luftuar.“Mendoj që pas luftërave që kemi pasur deri në mes të shekullit të kaluar mentalitetet nuk ishin aq të favorshme për ndodhjen e traktateve të tilla, por mentalitetet nuk duhet të jenë arsyet për këtë çështje. Duhet kuraja politike ndaj vetvetes dhe të tjerëve. Nuk ka qenë e lehtë për gjermanët dhe francezët që ta bindin veten që pas gjithë atyre luftërave që kanë ndodh është momenti për t’u pajtuar, por mendoj se duhet të luftohet kundër atyre mentaliteteve për t’i ndërruar ato”, ka thënë ai.

I ngarkuari me punë në ambasadën gjermane Matthias Kielser tha se gjatë shekujve të kaluar armiqësia mes Francës dhe Gjermanisë ishte ndër armiqësitë më të theksuara në kontinent, por edhe më gjerë, mirëpo falë Traktatit të Elizesë marrëdhëniet franko-gjermane janë bërthama e eurozonës. Dhe se një gjë e tillë, sipas tij, mund të ndodh edhe mes Kosovës dhe Serbisë.“Dallimet apo ndarjet e mëdha që kanë qenë mes Gjermanisë dhe Francës dhe me gjitha ato humbje që kanë qenë dhe besoj se edhe Kosova dhe Serbia mund ta bëjnë një gjë të tillë, por edhe të gjitha vendet e botës. Me rëndësi është që të ketë gatishmëri politike për një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Në të gjitha aktivitetet që këto dy shtete do t’i mbajnë për nderë të 50 vjetorit të Traktatit të Elizesë, do të përdoret logoja e përbashkët e krijuar për nderë të këtij përvjetori.Në janar të vitit 1963, presidenti i Francës Charles de Gaulle dhe kancelari Konrad Adenauer nënshkruan Traktatin e Miqësisë, apo siç njihet ndryshe Traktati i Elizesë. De Gaulle ishte një nga udhëheqësit më të zjarrtë të rezistencës franceze, i vetmi që nuk kishte pranuar kushtet armëpushimit të arritur në qershor të vitit 1940 mes dy vendeve.(LajmeShqip.com)