Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 08:30

Prishtinë -Në Nish (qytet në Serbi) u mbajt takimi i VI-të për zbatimin e marrëveshjes për librat e regjistrit civil ndërmjet ekspertëve të Republikës së Kosovës dhe ekspertëve nga Serbia, me  ndërmjetësim të EULEX-it.

Në këtë kuadër, sot është bërë certifikimi i librit të parë të regjistrit civil nga Janjeva, komuna e Lipjanit, ndërkaq mbesin edhe 14.000 libra të tjerë për t’u çertifikuar në të ardhmen, bën të ditur zyra e shtypit e qeverisë kosovare.

Sipas marrëveshjes, EULEX duhet t’i çertifikojë dokumentet e regjistrit civil në prani të të dyja palëve. Pas verifikimit faqe për faqe dhe skanimit të librit sipas modelit të Kosovës, çertifikimi i këtyre dokumenteve u realizua nga përfaqësuesi i autorizuar i EULEX-it, ndërsa libri i skanuar dhe i çertifikuar korrespondon me bazën e të dhënave që aktualisht i ka Kosova.

Bazuar në  planin e punës  për zbatimin e marrëveshjes për kthimin  e regjistrit civil, grupi trepalësh për implementim do të takohet në javën e dytë të dhjetorit dhe gjatë këtij takimi pritet që pala serbe të sjellë listën e të gjitha statistikave të librave të regjistrit civil të marrë nga Kosova gjatë luftës.
     Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutuan edhe modalitetet e implementimit në praktikë si dhe kohëzgjatja e procesit të skanimit.