Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 11:57

Prishtinë – Ashtu siç pritej, takimi i Baroneshës Catherine Ashton me Kryeministrin kosovar, Hashim Thaçin, sqaroi shumëçka rreth bisedimeve, që pritet të nisin mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Brukselit dhe Washingtonit.

Kabineti i Thaçit nuk dha shumë detaje për takimin, por këtë e bëri vetë Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme përmes një komunikate për media të lëshuar të martën. Aty Catherine Ashton tha se bisedimet Prishtinë-Beograd do të nisin së shpejti dhe se palët nevojitet të marrin vendime të vështira.

“Kryeministri Thaçi konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për t’u përfshirë në këto bisedime. Ashton tha se vendime të vështira do të nevojitet të merren në Beograd dhe në Prishtinë si dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme të përfshihen edhe në nivel politik”, thuhet në deklaratën e Zëdhënësit të Baroneshës Ashton.

Kryeministri Thaçi, sipas deklaratës, konfirmoi përkushtimin e Qeverisë së tij për avancimin e agjendës evropiane. “Ashton ka mirëpritur përpjekjet e Prishtinës për të arritur progres në rrugën europiane. Ashton dhe Thaçi mezi presin që studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim ta aprovojë Komisioni Europian më 10 tetor”, thuhet në deklaratë.

Në komunikatën e Kryeministrisë nuk përmendet fare dialogu, por aty flitet për procesin e integrimit të Kosovës në BE. “Kosova po përmbush reformat e nevojshme dhe me të drejtë në këtë dhjetor presim dritën e gjelbër nga Komisioni Europian për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. I kuptojmë vështirësitë politike në kuadër të BE’së, por përkundër jo unitetit për pavarësinë e Kosovës, është për t’u përshëndetur unanimiteti që ekziston në kuadër të BE’së për të ardhmen europiane të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

E përderisa palët po shtyhen drejt një procesi të ri negociator, ish-Kryenegociatorja në dialogun teknik me Beogradin, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ka thënë se me disa përjashtime, Serbia ka shmangur ose zvarritur zbatimin e shtatë marrëveshjeve të arritura në bisedimet teknike të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian. “Deklaratat apo fjalët kanë qenë të vazhdueshme nga ana e Serbisë, por ato nuk mjaftojnë. Serbia duhet të shkojë përtej fjalëve në vepra dhe t’i zbatojë praktikisht të gjitha marrëveshjet, përfshirë edhe marrëveshjen e IBM’së. Ne vazhdimisht kemi kërkuar nga BE që të rrisë trysninë ndaj Serbisë. Nuk kemi parë ndonjë përkushtim substancial nga ana e Serbisë”, tha Tahiri.

Përveç marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, Serbia nuk ka zbatuar as marrëveshjen për lëvizjen e lirë, atë për kthimin e dokumenteve kadastrale, atë për bashkëpunim rajonal e tjera.Në këso rrethana, ajo vlerëson se bisedimet nuk mund të vazhdojnë përderisa Beogradi të mos ndryshojë qasjen.

Në kuadër të krijimit të klimës për zbatimin e marrëveshjeve, Serbia duhet t’i shuajë edhe strukturat e saj paralele në Kosovë, thekson zëvendëskryeministrja Tahiri. “Ne konsiderojmë që një prej veprimeve që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjeve është zhbërja e strukturave paralele, ilegale që veprojnë në pjesën veriore të vendit për të cilat edhe BE’ja, e veçmas Berlini, ka bërë të qartë se është një prej kushteve për të krijuar klimën e zbatimit të marrëveshjeve, por edhe krijimit të mundësisë që bashkëpunimi midis dyja shteteve të marrë një kahe më pozitive”, thotë Tahiri.

Në anën tjetër, partia më e madhe në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vazhduar ta mbrojë qëndrimin e saj refuzues ndaj bisedimeve politike me Serbinë.“Ne jemi që të bisedojmë me qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe ata të veriut, por jo me Serbinë. Ne me Serbinë mund të bisedojmë vetëm si dy shtete fqinjë, ashtu siç mund të bisedojmë me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi”, ka deklaruar të martën Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa.

Serbia e gatshme për dialog

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, në fjalën e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm të dialogojë me përfaqësuesit e Prishtinës. Madje, ai tha se bisedimet duhet të zhvillohet në rang të lartë politikë. Nikolic ripërsëriti qëndrimin e Beogradit se nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës.

Kuçi: Kosova e gatshme për dialog politik

Brukseli asnjëherë nuk bën kërkesë që do ta dëmtonte Kushtetutën e Kosovës dhe Pakon e Ahtisaarit, të cilën ne e kemi negociuar bashkë me Bashkësinë ndërkombëtare në vitet 2005-2007. Kështu theksoi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke u përgjigjur në deklaratën e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Catherine Ashton , se Kosova dhe Serbia duhet të bëhen gati për vendime të vështira. Sa i përket dialogut, Kuçi tha se Kosova ka plan inicial për bisedime dhe në momentin kur të finalizohet ai do të dërgohet në Kuvend.

Sa i përket planit për bisedime, Kuçi bëri të ditur se qeveria e Kosovës ka një plan inicial, i cili do të finalizohet edhe me pëlqimin e Kuvendit të Kosovës. Kuçi theksoi çdo plan i qeverisë për dialogun do të jetë në kuadër të Kushtetutës dhe nuk do të bie ndesh me Planit të Ahtisaarit. (LajmeShqip.com)