Lajme Shqip Friday, 25 November 2011 10:26

Bruksel – Pas rishpalljes së dytë të konkursit për shef të Zyrës së BE-së në Kosovë, duket se më në fund përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, do ta emërojë një diplomat të nivelit të lartë në këtë post, që për Bashkimin Evropian thuhet të jetë “ndër më të rëndësishmit në politikën e jashtme”.

Disa burime diplomatike në BE kanë thënë për “Kohën Ditore” se ministri aktual i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zhbogar, është kandidati kryesor për të marrë postin e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Ai ka konkurruar, mendojmë se është njohës i mirë i Kosovës dhe i Serbisë, gjatë punës së tij si ministër ka krijuar edhe përvojë shtesë dhe do të jetë një përfaqësues i mirë i BE-së në këtë post mjaft sfidues” ka deklaruar një diplomat nga një vend i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, duke shprehur bindjen se Baronesha Eshton do ta emërojë pikërisht Zhbogarin në këtë post.