Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 14:39

Prishtinë – Në autostradën e Kosovës drejt Shqipërisë, vazhdim i Rrugës së Kombit të ndërtuar nga qeveria shqiptare, deri në fund të muajit tetor do të përfundojnë 34 kilometrat e para.

“Tani është e besueshme se kjo pritje do të jetë realitet i plotë”, tha gjatë inspektimit të trasesë së autostradës në ndërtim Vërmicë-Merdar, ministri i Infrastrukturës në qeverinë e Kosovës, Fehmi Mujota.

Për ndërtimin e kësaj autostrade, projekti më i madh i infrastrukturës në Kosovë, tani janë të angazhuar më tepër se 3600 punëtorë dhe mbi 2000 makina pune.

Menaxheri i këtij projekti, Darren Mort tha se “ka qenë një vit jashtëzakonisht i suksesshëm falë edhe bashkëpunimit me institucionet e Kosovës, i cili ka bërë të mundur që të arrijmë deri këtu ku jemi, dhe jemi shumë optimistë se kjo pjesë e autostradës do hapet në afat”.

Në një panair turizmi në Prishtinë në muajin prill u tha se pas ndërtimit të Rrugës së Kombit nga shteti shqiptar, për vizitë turistike në Shqipëri brenda vitit 2010 ishin 1.7 milionë kosovarë, ndërsa u paralajmërua se në këtë vit do të kalohet ky rekord.