Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 16:46

Prishtinë – Është rrahur të shtunën mbrëma rreth orës 20:00, hetuesi E.D i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK). Sulmi ka ndodhur nga tre persona të panjohur tek semaforët prapa komunës së Prishtinës.

Rastin e rrahjes e ka konfirmuar për Portalin ORAinfo, drejtori i AKK-së, Hasan Preteni. “Është e vërtetë që është sulmuar të shtunën në mbrëmje një prej hetuesve më me përvojë. Sulmi është bërë nga tre persona të panjohur. Hetuesi i Agjencisë është sulmuar në kokë dhe për këtë ka edhe vërtetimin nga mjeku”, është shprehur Preteni.

Preteni, sipas OraInfo, ka konfirmuar se rastet e tilla nuk do të ndikojnë asnjëherë që zyrtarët e AKK-së të zmbrapsën nga misioni që kanë.

“Është një punë me një risk të madh. Nuk ka lëkundje të këtij zyrtari nga misioni i tij, për të hetuar çdo keqpërdorim të mundshëm të parasë publike”, ka thënë drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, duke shtuar se policia është duke punuar për zbardhjen e rastit.

Ai ka thënë se ky është sulmi i parë fizik që është bërë ndaj ndonjë zyrtari të AKK-së. “Ka ndodhur edhe në vitin 2007 një sulm verbal ndaj një punëtori të Agjencisë, mirëpo ky është sulmi i parë fizik që ka ndodh ndaj një zyrtari të AKK-së”.  (LajmeShqip.com)