Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 15:25

Prishtinë – Në Kosovë u shënua Dita ndërkombëtare e romëve. Përfaqësuesit e lartë shtetëror premtuan zbatimin e të gjitha dispozitave kushtetuese për të drejtat e tyre ashtu si edhe përfaqësimin në të gjitha institucionet e vendit.

Komuniteti rom e konsideron veten pjesë të Kosovës dhe shpreh dëshirën për integrim, mirëpo kushtet në të cilat jeton janë zakonisht shumë të rënda, tha Zylfi Merxha është njëri nga përfaqësuesit shumëvjeçar politik të këtij komuniteti.

Në Ditën ndërkombëtare të romëve kryeministri Hashim Thaci siguroi këtë komunitet se dispozitat kushtetuese lidhur me të drejtat e tyre do të zbatohen me përpikmëri dhe se ata do të përfaqësohen në të gjitha institucionet e vendit.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë, Pieter Feith, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të rrisin përpjekjet për integrimin e komuniteteve pakicë në çdo fushë të jetës publike.

Dita botërore e romëve filloi të shënohet në vitin 1971, kur në konferencën e Unionit të romëve është vendosur që himni rom të jetë “Xhelem, xhelem“, ndërsa flamuri i romëve të jetë kombinimi i ngjyrës së kaltër dhe të gjelbër me pikë të kuqe në mes.Romët jetojnë në të gjithë vendet e Evropës. Sipas hulumtimeve, numri i tyre në kontinentin e vjetër lëvizë midis 12-15 milionë. Prej tyre 70 për qind jetojnë në vendet e Evropës lindore dhe juglindore.