Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 12:51

Prishtinë – Partnerët e koalicionit PDK-AKR do të bisedojmë në ditët në vijim për një balancim të ri të kabinetit qeveritar.

Zv/kryeministri Hajredin Kuçi në konferencë për media ka thënë se pas rrethanave të reja, zgjedhjes së presidentes konsensuale, partnerët e koalicionit do të bisedojmë për dizajnim të ri të kabinetit, që nënkupton balancimin e partnerëve në kuadër të këtij koalicioni. Nuk dihet nëse nga ky balancim vendin e ministrit Enver Hoxhaj do ta marrë tani Behgjet Pacolli.
Kuçi nuk ka dashur të flasë për emra konkretë apo për resorët qeveritarë në të cilët mund të ketë ndërrime, por ka thënë se kjo do të jetë pjesë e bisedimeve mes partnerëve gjatë ditëve në vijim.
Sa i përket ofertës që kishte në fillim PDK-ja për Pacollin që ta mbajë postin e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme, Kuçi nuk ka dashur të komentojë, por ka thënë se edhe kjo është një çështje që do të diskutohet.
I pyetur nëse do të pajtohen ministrat e PDK-së rreth asaj që të shkarkohen prej një posti për t’ia lënë vendin një ministri nga AKR-ja, apo nëse do të krijohen ministri të reja për të arritur këtë balancë, Kuçi ka thënë se nuk flitet ende për shkarkime apo për poste të reja, por vetëm për balancime.
Sidoqoftë, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës nuk ishin të pranishëm dy ministra nga Koalicioni për Kosovë të Re, Mimoza Kusari dhe Agim Çeku.
Por sipas zëvendëskryeministrit Kuçi nuk ka asnjë të veçantë në këtë mungesë të tyre, pasi që kreu i FSK-së Agim Çeku është në Ferizaj me lejen e Qeverisë, kurse zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ndodhet në Gjakovë në agjendën e paraparë më herët.