Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 18:52

Prishtinë – Zv/kryeministri dhe ministër i Drejtësisë se Kosoves, Hajredin Kuçi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri i Financave, Bedri Hamza dhe kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi, i cili ka për qellim të mbështesë funksionalizimin e Njësisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Zbatim të Ligjit.

Njësia, sipas komunikatës nga Ministria e Drejtësisë, do të koordinojë aktivitetet në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërinstitucional në shkëmbimin operativ te të dhënave në mes shteteve, me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të veprave penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare, nëpërmjet kanaleve të sigurta të komunikimit.

Po ashtu, funksionalizimi i Njësisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Zbatim të Ligjit, ka për qëllim ngritjen optimale të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërinstitucional, shkëmbimin e koordinuar te të dhënave në sferën ndërkombëtare dhe avancimin e proceseve ekzistuese të punës.

Njësia për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Zbatim të Ligjit, do të mbështetet duke parë nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit të organeve të drejtësisë dhe të punëve të brendshme, në luftën kundër të gjitha formave të kriminalitetit.