Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 10:45

Prishtinë – Kompletimi i infrastrukturës ligjore në Kosovë për luftën ndaj krimit të organizuar është në përfundim, tha sot ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të Strategjisë për Luftimin e Krimit të Organizuar, Rexhepi mbajti  sot takimin e radhës të Grupit Ndërinstitucional për Implementimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kundër Krimit të Organizuar 2009-2012.
“Mungesa e një bashkërendimi ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar, vështirëson efektivitetin e mekanizmave të implementimit të ligjit në Kosovë”, theksoi Rexhepi. 
Ai shtoi se “puna individuale e agjencive të ndryshme shtetërore, si: Policisë, Doganave, Prokurorisë etj., rezulton me suksese të pjesshëm kundër krimit të organizuar. Ndërmarrja e masave adekuate, bashkëpunimi ndërinstitucional, koordinimi i aktiviteteve është kusht obligues për luftë të suksesshme kundër krimit të organizuar”.
Ndërsa, Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, vlerësoi lart bashkëpunimin me agjencitë përkatëse për implementimin e kësaj Strategjie dhe propozoi krijimin e një Task Force për luftimin e krimit të organizuar. 
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, raportoi se Policia e Kosovës po i përmbushë detyrimet e dala nga kjo Strategji me ngritjen e kapaciteteve si dhe theksoi nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit të aktorëve kryesorë në luftën kundër krimit të organizuar. 
“Policia po bën hapa shumë të rëndësishëm në Njësinë për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe së shpejti do të përmbyllet krijimi i kësaj Njësie”, tha Maliqi. 
Në këtë takim mori pjesë edhe drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, i cili raportoi sukses më të madh për 24 për qind në vjeljen e të ardhurave doganore. 
Ndërsa Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, theksoi se ATK ka trajnuar zyrtarët e saj në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe evazionit fiskal në vazhdën e implementimit të Strategjisë për Luftimin e Krimit të Organizuar.
Në këtë takim morën pjesë edhe shefi i komponentës së policisë së EULEX-it, Udo Muller, përfaqësues të ICITAP-it dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.