Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 11:00

Prishtinë – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti e tretë opozitare në vend, e ka kundërshtuar të dielën mënyrën se si do të bëhet regjistrimi i popullsisë në Kosovë.

 

Në një konferencë për media, anëtarja e Kryesisë së kësaj partie, Melihate Tërmkolli, ka thënë se “AAK mbështet fuqishëm projektin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, por shprehë shqetësim të thellë për mungesë serioziteti nga ana e qeverisë që lidhet me përgatitjet e pamjaftueshme dhe dilema të shumta të pasqaruara rreth kësaj teme”.

 

Sipas saj, përgaditjet e pamjaftueshme, vonesa e madhe në përzgjedhjen dhe trajnimin e kontrollorëve dhe regjistruesve, mund ta vënë në sprovë kredibilitetin e këtij projekti aq të rëndësishëm.

 

“Kjo bëhet edhe më e rëndë kur kemi parasysh faktin se qeveria ka pasur kohë gati katër vjet për t’i realizuar më së miri përgatitjet finale gjashtëmujore të domosdoshme për regjistrimin e popullsisë”, ka thënë Tërmkolli.

 

“Pse qeveria nuk e ka bërë këtë me kohë, është problem i saj, por pasojat për këto mangësi do të bijnë mbi qytetarët e vendit. Transparenca rreth regjistrimit të popullsisë është në shkallën më të ulët. Kjo qeveri edhe me çështjen e regjistrimit të popullsisë po sillet me diktat dhe në mënyrë gati clandestine”, ka përcjellë qëndrimin e partisë së saj kjo zyrtare e lartë.

 

Ajo, gjithashtu, i ka vlerësuar si shumë shqetësuese deklaratat e zyrtarëve qeveritarë, se regjistrimin e popullsisë në veri të vendit do ta bëjë një organizatë ndërkombëtare (UNOPS), përbën shkelje të rëndë të Ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe shkelje të standardeve ndërkombëtare.

 

Duke iu referuar ligjit, Tërmkolli ka thënë se i vetmi institucion kredibil për regjistrimin e popullsisë në tërë territorin e Kosovës është ESK.

 

“Qeveria e Kosovës, me këtë akt, duke shkelur ligjin, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm ka pranuar se Kosova de fakto dhe de jure është e ndarë. Qeveria duhet t’i kthehet respektimit të ligjit dhe standardeve ndërkombëtare dhe të shtyjë për së paku një ose dy muaj këtë projekt, në mënyrë që të bëhen përgatitjet meritore, të hiqen dilemat për shumë paqartësi të cilat po e përcjellin këtë proces dhe të zbatohet dhe respektohet ligji për regjistrim”.

 

Në fund, anëtarja e kryesisë së kësaj partie opozitare në Kosovës ka konkluduar se “riparimet janë të domosdoshme, sepse gabimet dhe dështimet eventuale është vështirë të riparohen për 10 vitet e ardhshme”.