Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 20:03

Prishtinë – Kosova është gati për regjistrimin e popullsisë, që fillon në 1 prill, i cili është ndër procest më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë, tha sot Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar pasdite.

“Komisioni për Regjistrimin e Popullsisë, në bashkëpunim me organizatën UNOPS, i kanë bërë të gjitha përgatitjet për regjistrimin e popullsisë, që do zhvillohet nga 1 deri më 15 prill”, tha ai.

Duke përkujtuar se Kosova nuk ka pasur regjistrim të plotë të popullsisë prej 30 vitesh Thaçi theksoi se regjistrimi i parë i popullsisë në Kosovën e pavarur do jetë edhe i pari mbi baza profesionale të standardeve perëndimore.

“Me regjistrimin e popullsisë ne do të përmbushim një nga obligimet tona edhe kushtetuese dhe ligjore, por edhe një obligim që del nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian”, shtoi ai.

Kryeministri bëri të ditur se regjistrimi i popullsisë do të mbikëqyret nga afër edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët edhe janë në proces me këshillat e rekomandimet e tyre dhe do realizohet sipas standardeve më të larta të EUROSTAT-it.

“Regjistrimi i popullsisë është një ndër proceset më të rëndësishme në Kosovën e pas shpalljes shtet i pavarur dhe sovran”, theksoi ai.

Kryeministri Thaçi dhe qeveria u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikëss  së Kosovës që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit, të cilin e vlerësuan jashtëzakonshit të  rëndësishëm për të ardhmen e shtetit kosovar.