Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 14:00

Prishtinë – Kuvendi i Republikës së Kosovës në fillim të seancës së sotme, të parën e sesionit vjeshtor, miratoi Raportin e parë të progresit për Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrim Evropian për vitin 2011.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Nga deputetët e pranishëm, 69 votuan për raportin, 1 kundër dhe 1 abstenoi, e më pastaj seanca vazhdon me shqyrtimin e gjashtë projektligjeve, mes të cilëve ai  për marrëveshjet ndërkombëtare.

Kuvendi, i cili rifilloi punën pas një pushimi të përgjysmuar për shkak të punëve të shumta që e presin, do të mblidhet  në një tjetër seancë më 29  gusht, për të cilën është paraparë shqyrtimi i 13 projektligjeve që lidhen me Raportin e Progresit të Kosovës, të Komisionit Evropian.

Kryetari i Komisionit për Integrime Evropine, Lutfi Haziri, paralajmëroi se “deri më 1 shtator Kuvendi duhet të miratojë edhe një numër të madh të ligjeve, në mënyrë që 12 tetori, atë ditë kur do të paraqitet raporti final për Kosovën këtë vit të përmbajë tone më pozitive sesa raportet e tjera”.

Në takimin e  4-t ndërparlamentar  Parlamenti Evropian- Kosova, në maj të këtij viti në Prishtinë,  është theksuar se në Planin e Veprimit të Kuvendit kosovar për integrimin evropian ishin paraparë 118 veprime konkrete për përmbushjn e axhendës evropiane të Kosovës për këtë vit.