Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 15:15

Prishtinë – Një studim i publikuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, ka hulumtuar dimensione të ndryshme mbi gjendjen e shoqërisë civile në vend.

Angazhimi qytetar, niveli i organizimit, ndikimi dhe vlerat e shoqërisë civile dhe ambienti i brenda të cilit vepron shoqëria civile, janë disa nga fushat në të cilat është fokusuar ky studim.

Sipas koordinatorit të programit, Taulant Hoxhës, rezultatet e studimit kanë treguar shkallë shumë të lartë të mosinteresimit të qytetarëve ndaj jetës politike.

Më tej, raporti vëren se shumica e organizatave aplikojnë për fonde jashtë fushave të misionit të tyre, ndërkohë që shoqëria civile në masë të madhe është tolerante dhe paqësore.

Ndikimi i shoqërisë civile në vendimarrjet politike si në arsim, ekonomi, çështje sociale, del se është  shumë i limituar.

Pas prezantimit të raportit është ngritur dilema nëse shoqëria civile është faktor politik që konkuron për pushtetin apo është një faktor shoqëror, i cili bënë presion te pushteti.

Agron Bajrami, gazetar, ka thënë se “ky keqkuptim vije nga vetë politika e cila e projekton shoqërinë civile si kërcënim për të. Shpeshherë në publik kemi edhe perceptimin se shoqëria civile është një pikë e mirë për të kaluar në pushtet, kurse në rastet ekstreme shoqëria civile shihet edhe si agjente dhe në të shumtën e rasteve shihen si biznesmenë të mirë”.

Ndërsa për zv/kryeministrena Mimoza Kusari, është e rëndësishme që kanali i komunikimit me qytetarë të mbetet i hapur.

“Jo rrallë ne takojmë qytetarë, njerëz të shoqërisë civile të cilët shprehin qëndrimet e  tyre, jo rrallë duke na kritikuar e në disa raste edhe na kanë ndryshuar mendjen, por në disa raste jo, por e rëndësishme është që kanali i komunikimit të mbetet i hapur”.

Në këtë studim janë përfshirë 150 organizata të shoqërisë civile dhe mbi 1300 respondentë nga gjithë Kosova.