Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 12:29

Prishtinë- Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për zbardhjen e fatit të të gjithë qytetarëve të zhdukur në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë. “Një angazhim të tillë presim edhe nga autoritetet e shtetit të Serbisë dhe nga faktorët ndërkombëtarë, që të ofrojnë të dhënat për të gjithë qytetarët e zhdukur gjatë luftës”, theksohet sot, në një komunikatë të qeverisë së Kosovës.

Komisioni ndërministror i Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur ka bërë kërkesa të shumta dhe ka ofruar dëshmi të ndryshme për supozimet dhe mundësitë e ekzistimit të varrezave në territorin e Serbisë, por deri tani nuk janë kryer hulumtimet të plota nga ana e shtetit serb. Si pasojë, që nga viti 2006 institucionet zyrtare të Kosovës nuk kanë pranuar nga Serbia asnjë mbetje mortore të personave të zhdukur.

Njoftohet se mbetje mortore, të identifikuara përmes analizës së ADN-së, të katër personave të zhdukur si pasojë e luftës gjatë viteve 1998 -’99, janë dorëzuar dje nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës, në afërsi të vendkalimit kufitar Nr 3. Pranimi i mbetjeve mortore është bërë nga ana e familjarëve, të shoqëruar nga përfaqësues të Komisionit Qeveritar të Republikës së Serbisë për Persona të Zhdukur.

Edhe sot, në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, do të bëhet dorëzimi i mbetjeve mortore të katër personave të zhdukur, gjithashtu të identifikuar përmes analizës së ADN-së.

Edhe EULEX dje njoftonte se ekspertët mjeko-ligjorë dhe homologët e tyre vendor nga Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML) kanë dorëzuar mbetjet mortore të katër personave të cilët ishin zhdukur në vitin 1999 gjatë konfliktit në Kosovë. Këto mbetje mortore ju dorëzuan familjarëve dhe përfaqësuesve të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Personat e Pagjetur në Merdar.

Sipas njoftimit, këta persona u identifikuan nga ekspertët e mjekësisë ligjore të EULEX-it me anë të kombinimit të analizave të ADN-së dhe analizave mjeko ligjore antropologjike.

Dje, Alan Robinson, bashkë-drejtues i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, tha se “Departamenti për Mjekësi Ligjore dhe ekspertët mjeko ligjor të EULEX-it i kanë dorëzuar mbetjet mortore të katër personave të cilët ishin të zhdukur prej vitit 1999. Nesër do të dorëzojmë më shumë. Me këto, numri i përgjithshëm i mbetjeve të dorëzuara arrin në 291 që prej fillimit të Misionit tonë. Së shpejti do t’i dorëzojmë së paku edhe dhjetë mbetje mortore të identifikuara.

“Megjithatë, është me rëndësi të mos harrojmë se 1790 persona janë ende të pagjetur. Çështja e personave të pagjetur është e ndërlikuar dhe e ndjeshme. EULEX-i dhe DML-ja do ta vazhdojnë punën e tyre intensive për ta ndriçuar fatin e sa më shumë prej tyre që është e mundur” tha Robinson.

Edhe EULEX njoftonte se sot në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë do të dorëzohen mbetjet mortore edhe të katër personave tjerë të cilët ishin zhdukur gjatë konfliktit. (LajmeShqip.com)