Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 07:28

Prishtinë – Kryeministri i  Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se gjendja e sigurisë edhe përkundër sfidave ekonomike e sociale, vazhdon të mbetet e qetë dhe e qëndrueshme. Po ashtu, marrëdhëniet ndëretnike kanë shënuar një ngritje në nivel vendi dhe numri i incidenteve ndëretnike ka shënuar rënie të vazhdueshme, tha në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kryeministri Thaçi, i cili si kryesues i këtij institucioni, paraqiti një vlerësim të gjendjes politike dhe të sigurisë në vend.

Në mbledhje u përkrah gatishmëria dhe profesionalizmi i Policisë së Kosovës, e cila me përkushtimin e treguar ka bërë që të zbulohen, trajtohen dhe eliminohen aktivitete të ndryshme kriminale si dhe të ulet përqindja e kryerjes së veprave penale dhe atyre kundërvajtëse. Vazhdimi i kalimit të kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët si dhe vazhdimi i zvoglimit të trupave të KFOR-it, janë dëshmia më e fuqishme se siguria në Republikën e Kosovës është stabile dhe e qëndrueshme dhe se sektori i sigurisë po vazhdon suksesshëm konsolidimin e tij, u tha në mbledhje.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerësoi si shumë të rëndësishëm procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomisë familjare, e cila do të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kushteve sociale dhe jetësore të qytetarëve të Kosovës.

Këshilli vlerësoi formimin e dy komisioneve parlamentare për ndryshimet kushtetuese. Me këtë vlerësohet se Kosova ka hyrë në një proces të thellë reformues,  i cili nuk kufizohet vetëm në zgjedhjen e presidentit dhe zgjedhjeve të përgjithshme, por edhe në ndryshime të tjera sipas vlerësimit të institucioneve përkatëse.

Në këtë mbledhje u shqyrtua dhe u miratua Plani Vjetor i Punës së Këshillit të Sigurisë per vitin 2011,  si dhe shqyrtua Platforma Vjetore e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.