Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 22:47

Prishtinë – Qeveria e Republikës së Kosovës, në një deklaratë të kumtuar pak më parë, dënon fuqimisht manifestimin e dhunës ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, me rastin e vizitës së sotme të shefit të delegacionit të Serbisë për dialogun teknik, Borislav Stefanoviç.

“Shprehja paqësore e pakënaqësisë dhe e protestës, është e drejtë demokratike dhe kushtetuese e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në deklaratë, ndërsa shtohet se “ushtrimi i dhunës ndaj organeve të sigurisë së Republikës së Kosovës, me çrast pati të lënduar, dhe vandalizmi ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm”.

Sipas deklaratës, “aktet e tilla tregojnë që ky grupim politik, ashtu si në të kaluarën, nuk heq dorë nga dhuna për realizimin e qëllimeve të ngushta politike”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët e saj për maturi dhe siguron ata, që procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të përfundojë me njohjen reciproke në mes të të dyja shteteve dhe në integrimin e tyre në BE dhe në NATO”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.