Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 16:00

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dyshon se nga numri  prej 450 mijë letërnjoftime të UNMIK-ut që nuk janë ndërruar ende, një  pjesë  i takon personave që në vende të ndryshme janë deklaruar si kosovarë.

Shumë emigrantë që janë deklaruar si kosovarë dhe kanë marrë paligjshëm dokumente në kohën e UNMIK-ut, po humbin leje-qëndrimin  apo të drejtën e vizës.

Kjo për shkak se  Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës po verifikon vërtetësinë e dokumenteve të tyre, duke mos lejuar t’i marrin të rejat. Megjithëse nuk  ka të shifra të sakta, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme llogaritet se  janë mijëra raste të tilla të vërtetësia e të cilave po kontestohet.

Shkumbin Kastrati drejtori i Agjencisë kosovare për regjistrim civil thotë se ekziston dyshimi se  në numrin mbi 450 mijë letërnjoftime të pa ndërruara të UNMIK-ut një pjesë e tyre mund t’i përkasin kësaj kategorie.

Islam Caka, shef i Departamentit  për Shtetësi, Azil dhe Migracion thotë se autoritetet kosovare  po verifikojnë të gjitha rastet kur  shtete të ndryshme kërkojnë vërtetësinë e tyre. Marrja e dokumenteve kosovare nga shtetas kryesisht të vendeve fqinjë konsiderohet se është bërë gjatë vitit 1999 kur UNMIK-u kishte filluar regjistrimin dhe kur mungonin librat amëz.

Në saje të kësaj persona  të etniteteve të ndryshme kanë kërkuar dhe marr lejen e qëndrimin apo kanë fituar shtetësinë në vende të ndryshme.  Duke u paraqitur si kosovarë ata kanë arritur të bindin autoritet e emigracionit të  shumë vendeve se kanë ikur nga  represioni në Kosovë.