Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 12:51

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, iu drejtua sot me një telegram pjesëmarrësve të Akademisë përkujtimore në Prishtinë, me rastin e përvjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Agim Ramadani, që u mbajt në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, i cili organizohet nën patronazhin e Presidentes së Kosovës.

“Manifestimi tradicional ‘Ditët e Shqipes’,  ka për qëllim të përkujtojë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë, një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Betejën e Koshares dhe operacionin ‘Shigjeta’, të zhvilluar nën Komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën u thye kufiri shtetëror në drejtim të Jugosllavisë”, thekson Presidentja në këtë telegram.

Kjo betejë, shton ajo, dëshmoi organizimin e luftëtarëve të lirisë, përkushtimin dhe angazhimin që të çlirojnë çdo pëllëmbë të atdheut.

“Rruga e lavdishme e Brigadës 138 të UÇK-s, rënia për liri e 114 ushtarëve të saj, është e njëjtë me rrugën e të gjitha Brigadave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të përbëra nga bijat dhe bijtë më të mirë të Kosovës, zhvilluan operacione luftarake, të mbështetura nga populli, në gjithë territorin, që sollën lirinë dhe shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në telegram.

“Ne me krenari dhe me respekt i kujtojmë të gjithë luftëtarët e lirisë, të gjithë të rënët në altarin e atdheut, të gjithë invalidët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne sot, pikërisht në ditën e përvjetorit të rënies, e kujtojmë komandantin Agim Ramadani, një ushtarak, një poet, një piktor, i cili në thirrjen e atdheut dha shembullin më të mirë si luftohet  dhe si ngadhënjehet mbi armikun”, thekson Presidentja Jahjaga në telegram.

Më tej ajo shton se më 19 prill do të përkujtojmë edhe përvjetorin e rënies së komandantit Sali Çeku, juristit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare dhe thekson se të dy këta Heronj të Kombit, së bashku me mijëra ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bënë simbole të rezistencës sonë shekullore për liri, për barazi, për demokraci.

Manifestimet “Ditët e Shqipes” nisën më 9 prill në Koshare, në ditën kur atje para 12 viteve u rrënuan gurët e ndarjes, u thye kufiri i hekurt ndërshqiptar, midis Kosovës dhe Shqipërisë, në luftën dhe fitoren e madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave pushteuese serbe të komanduara nga kasapi i Ballkanit, Millosheviç.