Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 15:39

Prishtinë – Policia e Kosovës, përmes një komunikate ka mohuar të ketë përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve të PTK-së, para Kuvendit, por spreji OC.

Në komunikatë thuhet se fillimisht protesta është zhvilluar e qetë, por pas marrjes së informatës se është aprovuar Ligji mbi buxhetin, protestuesit kanë tentuar që me forcë të hyjnë në brendi të oborrit të Kuvendit të Kosovës, duke dëmtuar derën e hyrjes së rrethojës së Kuvendit si dhe është thyer dritarja e shtëpizës së zyrtarëve policorë, që ofrojnë siguri.

Sipas tyre, një gjë e tillë, e hyrjes brenda rrethojës, është penguar nga zyrtarët policorë, që janë kujdesur për sigurinë e protestuesve dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas tyre, përdorimi i sprejit mbrojtës është bërë me qëllim të parandalimit të hyrjes me forcë në oborrin e Kuvendit dhe nuk ka pasur në cak ndonjë person të caktuar, zyrtar (gazetar) që mund të ketë qenë prezent në këtë protestë.

Po ashtu, Policia thotë se gjatë tentimit për hyrje me forcë dy nga protestuesit kanë kaluar pengesën, duke depërtuar në brendi të oborrit dhe ata janë ndaluar nga zyrtarët policorë dhe pas identifikimit të tyre janë liruar.

Protesta ka përfunduar rreth orës 15, pas takimit të realizuar në mes të grupit organizator të protestës dhe Kryetarit të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në reagim.